Abstract: | Historia e botimit të librit tim të parë poetik mund të mos tregohet. Por prap është një lloj parabole. Në vitin 1964 (isha 15 vjeç), miku im i femijërisë Namik Mane (qe disa vite më i madh në moshë se unë, shkruante edhe ai poezi) ngulmoi me xheste serioze dhe të frikshme se duhej patjetër të çoja librin me poezi në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri". Pse? E kundërshtova. Skepticizmi qe parzmorja e moshës. Po pa qenë i vetëdijshëm. Pse? Se shteti bën shtëpi, rrugë, gazeta, uzina, anije, shtylla tensioni. Shteti boton libra. Askush tjetër. Arsyetimi nuk kundërshtohej dot. Logjika shtetërore qe simetri e madhërishme. E pashmangëshme. Namiku ishte i vetmi njeri në botë që kishte lexuar dy tri libra të mi që i kisha "botuar" vetë. Ishin përmbledhje vjershash shkruar me penë, që u kisha ngjitur kapakë të pikturuar vetë, me numura rendorë romakë, ilustruar me copëza figurative, të prera nga revistat me ngjyra, tamam si pergamenët e lashtë. Poezi substancialisht intime, të trishtuara, fluturime kozmike, metafora absurde dhe të çmëndura për Hënën, vjeshtën, motive dashurie pa adresë, gati asnjë lidhje me realitetin. Absolutizmi i intimes, botë e mbyllur, pesimizëm këndellor, brishtësi e thërmuar, kotësi e shkujdesur, vetmira baritore, imagjinata të bezdisshme, shkurt një hermenautikë, por gjithsesi e lexueshme, bizare, e kundërthënëshme, e papërshtatëshme. |