Abstract: | Gjegjëzat janë një pasuri e vyer e folklorit tonë të krijuar prej popullit. Ato janë një përshkrim i tërthortë e i ngjeshur i një sendi ose i një dukurie që i jepet dikujt për të gjetur se çfarë do të thotë. Ato sipas Thimi Mitkos janë "fjalë të errëta popullore në të cilat kërkohet një përgjigje e drejpërdrejtë pas pyetjes së parashtruar. Në përgjithësi, gjëegjjëzat janë veneruar “si krijime të vogla” që përbëjnë një lloj të veçantë të krijimtarisë letraro artistike popullore. Me fjalë të tjera gjëegjëzat janë krijime të shkurtra folklorike në të cilat shtrohet një problem për t'u zgjidhur, apo kërkohet të gjendet një send ose dukuri e caktuar nëpërmjet dhënies së tipareve të ngjajshme a të afërta të ndonji sendi, a dukurie tjetër. Për zbërthimin e pyetjes, domethënë për të gjetur objektin e kërkuar, veprohet me anën e një arsyetimi duke krahasuar elementet e dhëna figurative, në analogji të objekteve të panjohura (Sako-Harito, 1968: 5). Pra, janë pyetje të ndërtuara në mënyrë metaforike, me anë të të cilave kërkohet të gjendet sendi apo fenomeni që nënkuptohet. Më konkretisht, "atij që i duhet t'i gjejë përgjegjen e një gjëegjëze, pjesa pas pyetjes i jep të dhëna të tilla, si lënda e ndërtimit të sendeve, ngjyra e tyre, funksioni që kryejnë, forma me të cilën paraqiten pjesët përbërëse dhe numri i tyre, shija, tingulli a zhurma që bën sendi a dukuria. Mund të jepen një ose më shumë cilësi të tilla për t'u orientuar në zgjidhjen e enigmës" (Xhagolli, 2001: 180). Gjëegjëzat e shënuara në viset e Tetovës dhe Gostivarit flasin për njeriun, mjetet e punës, e të jetës, për bimët, shpendët, kafshët, për natyrën. Më të shumtat e gjëegjëzave janë të ambientit blegtoral, si p. sh.: Bisht gjatë, kreje shpatë, hë, xhi ësht? (Kosa e barit). Ndërkaq, kemi edhe të atilla që janë krijuar për trupin e njeriut, si: goja, gjuha, gishtat e thonjtë, etj. P. sh.: Di vllazën, datë1 me ni mal, xhi jën? (Sytë); Dhejtë hoxhallar, me çallma t'bardha. Kush e din? (Gishtat e dorës dhe thonjtë); Ë ni xhë, çë ni xhë? Dhelpna e kuçe, hecën nëpër kosh (Gjuha). |