Abstract: | Lënda e Hulumtimit
Njerëzimi është krejt i lirë të zgjedhë vlerat dhe mënyrat e jetesës. Njerëzit janë absolutisht të lirë të zgjedhin, ata duhet të zgjedhin sepse secili duhet të zgjedhë një mënyrë për të jetuar jetën e tij. Shumë njerëz ende nuk e kuptojnë që e kanë këtë liri, duke jetuar me mendimin se u mungon filozofia e veprimit mbi të drejtën e mëvetësisë së jetës së tyre. Sipas Aristotelit, “..inteligjenca është shkalla përcaktuese e lirisë së individit. Njeriu inteligjent kërkon liri dhe jo kënaqësi”. (Aristoteli, 2001:9). Çfarë kuptojmë me drejtësi dhe padrejtësi? Njeriu është i prirur në ekzistencën e tij të futet në marrëdhënie me botën që e rrethon dhe më pas, të orientojë dhe përkufizojë vetëveten në raport me të. Kudo në botë liria dhe të drejtat kanë një çmim, përballë zhgënjimeve që pëson individi në raportet e përcaktimit, njohjes, respektimit dhe dhunimit të tyre që çojnë në diskriminim etnik, racor, etno-kulturor, duke ngritur barriera të larta kundër vlerave të jetës në liri. Përvoja botërore ka treguar se zhdukja e pabarazisë dhe e mungesave ekonomike, është parakushti dhe paradigma bazë e zhdukjes së konfliktit midis njeriut, të drejtës, ligjit, shtetit dhe dhunës psikofizike. Tema studimore bazohet në studimin dhe hulumtimin e rasteve të shkeljeve të të drejtave të Njeriut, të evidencuara në jetën e përditëshme mbi shtresat e ndryshme sociale, të rasteve dhe fenomeneve që shkaktojnë lëkundje të raporteve mes sistemit të drejtësisë dhe të drejtave njerëzore. Ato meritojnë më shumë vëzhgimin, ndërhyrjen dhe denoncimin e organizmave ndërkombëtare dhe Organizatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre juridike dhe institucionale të përfaqësimit në Republikën e Shqipërisë.
|