Abstract: | Kultura e gjuhës është tashmë një prej degëve të mirënjohura të gjuhësisë, që merret me studimin dhe përcaktimin e normës letrare në të gjitha rrafshet e sistemit të gjuhës, me zbulimin e prirjeve të zhvillimit të gjuhës letrare për të ndikuar mbi të në pajtim me këto prirje, si dhe me rrugët për përvetësimin e zbatimin e normës letrare. Me fjalë të tjera, si degë e gjuhësisë, kultura e gjuhës merret me studimin dhe përcaktimin e normës letrare në të gjitha nivelet e sistemit të gjuhës (fonologjik, morfologjik, leksikor e sintaksor). Kultura e gjuhës kuptohet, gjithashtu, si kujdesi për të shkruar e për të folur gjuhën letrare sipas rregullave përkatëse e sipas modeleve më të mira të pranuara nga shoqëria në një periudhë të caktuar. Kujdes të madh ndaj gjuhës kanë treguar Pararilindësit e Rilindësit tanë. Ky kujdes është shtuar e thelluar edhe më vonë e vazhdon të jetë i gjallë edhe sot. Një plejadë mësuesish e dashamirësh të gjuhës e të kombit (shqiptarë e të huaj), shkrimtarësh, gjuhëtarësh e intelektualësh të tjerë kanë shprehur interesimin e kujdesin e tyre, duke dhënë ndihmesë të madhe në shkrimin e shqipes, hapjen e shkollave, hartimin e teksteve mësimore, të gramatikave normative; në studimin sinkronik e diakronik, në pastrimin dhe pasurimin, në planifikimin, standardizimin e së fundmi edhe në modernizimin e shqipes. |