Abstract: | HYRJE
Shtytës për hartimin e këtij punimi të masterit ka qenë dhe mbetet rëndësia jashtëzakonisht e madhe e kësaj teme, dëshira ime e veçantë për të ndikuar në forcimin e bindjes institucionale dhe të respektimit të ligjit në teori e në praktikë. Por, edhe qëllimi final për të dhënë një kontribut plus për ngritjen e standarteve ligjore të aplikuara në vendin tonë sa i përket delikuencës së të miturve. Delikuenca e të miturve si formë e paraqitjes në kriminalitetin e përgjithshëm si në çdo vend tjetër edhe në Kosovë ka një peshë specifike të konsiderueshme, si për nga format e shfaqjes ashtu edhe për nga llojllojshmëria e veprave të kryera, pasojat e dëmshme njerëzore, sociale, ekonomike, psikologjike e të tjera për shëndetin, mirëqenien dhe pasurinë e individit, të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë punim delikuenca e të miturve është shqyrtuar dhe trajtuar në aspektin fenomenologjik të paraqitjes së saj, pastaj janë studiuar edhe faktorët etiologjk të paraqitjes së delikuencës së të miturve dhe gjithashtu është paraqitur edhe roli i masave preventive dhe masave represive të shqiptuara gjatë periudhes hulumtuese. Këto këndveshtrime të ndryshme janë elaboruar në aspektin social, ekonomik, psikologjik, pedagogjik, sociologjik, juridiko-penal etj. Një studim i tillë është i nevojshëm për njohjen e kësaj dukurie dhe për luftimin më të efektshëm të delikuencës së të miturve. Zgjedhja e temës është mbështetur në nevojën e njohjes sa më të mirë të aspekteve të luftimit më të suksesshëm të kësaj dukurie, duke i njohur format, vëllimin, dinamikën, shkaqet, organet e autorizuara për trajtimin e kësaj dukurie të dëmshme shoqërore etj. Çdo shoqëri, në pajtim me parametrat e mundshëm, është e interesuar për edukimin e gjeneratave të reja si bartëse të ardhshme të ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Për të arritur një edukim cilësor, shoqëria njerëzore duhet t’i kushtojë kujdes të posaçëm disa dukurive asociale të të rinjve. Si dukuri e veçantë asociale është shkelja e normave ligjore në fuqi nga ana e të miturve që përbëjnë delikuencën e të miturve. Delikuenca e të miturve është hulumtuar pak në Kosovë e këtë e shohim nga pasqyra e raporteve të organizatave qeveritare dhe joqeveritare për mungesën e vëmendjes së institucioneve relevante për këtë dukuri, prandaj si qëllim i hulumtimit të kësaj teme qëndron zgjerimi dhe thellimi i njohurive rreth faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, njohja e motiveve që dërgojnë në paraqitjen e kësaj dukurie. Në kuadër të masave të ndryshme dominojnë masat preventive edukuese dhe pedagogjike, të cilat konsistojnë në zhvillimin pozitiv të të miturve, në zgjidhjen e problemeve familjare dhe shoqërore, në aftësimin profesional të tyre dhe në sigurimin e perspektivës. Mirëpo çdo shoqëri është shtrënguar të përdorë edhe masa dhe sanksione penale, të cilat dallojnë nga përmbajtja e sansioneve penale për të rritur. Pra trajtimi i të miturve është më i favorshëm në fushën e legjislacionit penal, material dhe procedural.
|