Abstract: | Pronësia intelektuale është fushë e praktikës ligjore që merret me mbrojtjen e krijimtarisë intelektuale në sferat e industrisë, shkencës, letërsisë dhe arteve. Shoqëria e sotme shqiptare vjen nga një trashëgimi e varfër dijesh, ligjesh e praktikash të trajtimit të të drejtave dhe nga një mungesë thuajse e plotë edukimi në këtë fushë, rrjedhojë e dominimit për një kohë të gjatë të koncepteve të shoqërizimit të skajshëm pronësor dhe të praktikave ligjore të shtetit totalitar të viteve më parë, i cili nuk njihte apo nëpërkëmbte haptazi të drejtat e krijuesve dhe shpallte thuajse çdo krijim të tyre pasuri të tij. Për rrjedhojë, edukimi, përmirësimi i legjislacionit dhe i praktikave të dhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, përbën sot një nga problemet dhe sfidat më të mëdha të afrimit konceptual, moral, ligjor dhe ekonomik të shoqërisë dhe vendit tonë me Europën dhe pjesën tjetër të përparuar të botës. Hapa të rëndësishëm janë bërë përpara në këtë drejtim në vitet e fundit. Por mbetet ende shumë për të bërë më tej në të ardhmen. Qëllimi i këtij libri është të ndihmojë sadopak në tërheqjen e vëmendjes, ndërgj'egjësimin dhe formimin mbi çështjet e pronësisë intelektuale të krijuesve të ndtyshëm, drejtuesve të biznesit dhe të organizatave shtetërore, publike e private, të interesuara për procesin e krijimit të kapitalit intelektual, pronësinë mbi të dhe mbrojtjen e tij në vendin tonë. Ndonëse nuk është një tekst mësimor që ndjek një kuadër kurrikular e programor të caktuar, por një sintezë e hulumtimeve të autorit në literaturën bashkëkohore dhe e eksperiencës së tij si përfaqësues i autorizuar i patentave dhe i markave, libri jep në mënyrë kompakte e koherente një paraqitje pak a shumë sistematike të njohurive themelore të nevojshme për t'u orientuar në botëne madhe të Pronësisë Intelektuale. Kjo nuk është ndërmarrje e lehtë, po të kihet parasysh se Pronësia Intelektuale është fushë relativisht e re e dijes dhe mjaft nga termat apo konceptet e saj ende nuk kanë sot kuptime apo përkufizime standarde të gjithëpranuara. |