Abstract: | Abstrakti
Ky punim masteri do ketë për fokus gratë dhe pjesëmarrjen e tyre në politikën kosovare. Edhe pse pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave në politikë ende nuk është bërë pjesë e kulturës sonë politike, gratë kanë të drejtë të jenë pjesë aktive e politikës dhe aktiviteteve në të. Tradicionalisht, në kulturën kosovare politika është parë më shumë si veprimtari e burrave dhe gratë janë lënë anash. Mirëpo, sot është më se i nevojshëm involvimi femëror në politikë sepse femrat prekin fusha që janë të domosdoshme për një shoqëri të shëndoshë. Brenda këtij punimi do analizohet korniza ligjore mbi barazinë gjinore në Kosovë, që të shihet se si parashihet roli i gruas në shoqëri dhe mbrojtja e pozitës së saj përmes ligjit. Poashtu, punimi do fokusohet në qëndrimet mbi rolin e gruas në shoqëri, dhe sa ka ndryshuar roli i gruas prej më herët e deri sot, por në anën tjetër edhe sa kanë ndryshuar qëndrimet mbi rolin që pritet gruaja të luajë në shoqëri. Fokusi i këtij punimi do jetë gruaja në Kosovë dhe raporti i saj me politikën, duke analizuar pjesëmarrjen e saj në votime, në aktivitete politike dhe pjesëmarrjen e saj si kandidate politike. Pastaj, do hulumtohet mbi barrierat dhe pengesat në rrugën e saj drejt politikës, dhe fokus i veçantë do bie mbi kuotat gjinore, duke analizuar rolin e tyre dhe rëndësinë që kanë këto kuota për gratë që synojnë politikën. Përmes këtij punimi synohet të vihet në pah se gratë siç ia dalin në fusha tjera jetësore njejtë mund t’ia dalin edhe në politikë, por mjedisi është ai që ua vështirëson punën. Prandaj, punimi le të shërbejë si një kontribut për avancimin e pozitës së grave në Kosovë dhe për të kuptuar se përmirësimi i pozitës së grave kërkon përkushtimin e të gjithë shoqërisë dhe mbështetjen e pakushtëzuar. Fjalët kyqe: barazi gjinore, shoqëri, politikë, grua, Kosovë, pjesëmarrje, kornizë ligjore, rol, votim, kandidate, aktivitet, kuota gjinore, barriera, avancim. |