Abstract: | Abstrakt
Për të kuptuar sa më mirë politikën e jashtme dhe diplomacinë si mjet të saj, së pari duhet studiuar dhe kuptuar sa më gjerësisht politikat publike si fushë-veprimtari e gjerë dhe që në vetvete përfshin edhe fushën e politikës së jashtme. Qëllimi i këtij punimi të doktoraturës është që të shfaq elemente të cilat tregojnë se politika e jashtme si pjesë e politikave publike, ka treguar relativisht sukses në politikbërje dhe në arenën ndërkombëtare, pas pavarësisë së Kosovës, gjithmonë duke pasur parasysh se politika e jashtme e Kosovës ishte ende në hapat e parë të saj. Mostrat janë marrë nga sektorët që merren me punët e jashtme, duke përfshirë këtu ministri të ndryshme nga ekzekutivi, pastaj komisionet parlamentare për punë të jashtme, presidenca, si dhe rezultatet e nxjerrura nga realizimi i pyetësorëve me zyrtarë të lartë, ambasadorë dhe me staf akademik. Në këtë punim, do të përdorim metodën kritike, metodën përshkruese dhe metodën argumentuese. Rezultatet tregojnë se politika e jashtme e Kosovës, është duke shkuar duke u zhvilluar relativisht mirë, me disa gabime të riparueshme dhe që në një të ardhme me përvojat që do të ketë, do të tregojë përmirësime të dukshme sa i përket përfaqësimit të shtetit në arenën ndërkombëtare. Si konkluzion mund të themi se e ardhmja e Kosovës, si çdo shteti tjetër, do të varet nga mënyra se si do të shfrytëzohen burimet njerëzore dhe financiare. Në këtë aspekt, ky punim është një përpjekje për të eksploruar potencialet për zhvillimin e politikës së jashtme dhe avancimin e saj në kontekste të ndryshme politike që Kosova po ndërmerr dhe që pritet të ndërmarrë në të ardhmen. Fjalët kyçe: politikat publike, politika e jashtme, diplomacia, Kosova, pushtetet shtetërore, aktorët vendor, aktorët ndërkombëtar. |