Abstract: | Shkronjat, fjalët, fjalitë e Preç Zogajt, formacionet e tij të ndërtimit të subjektit, të përshkrimit të personazheve reale të tranzicionit apo të fantazimit dhe romantizmit të ngjarjeve të tranzicionit shqiptar janë nga prurjet më të mira të letërsisë publicistike shqiptare. Kjo tipologji librash është në zhdukje e sipër, për shkak të faktit se kronika është bërë aq e dendur, aq intensive, aq me prurje saqë jo vetëm nuk ka më shënjues të vëmendshëm të kësaj kronike, por sidomos nuk ka më luksin që të ketë një kualitet si Preç Zogaj për t’i marrë, përkthyer, shkruar dhe dhënë publikut ngjarjet, personazhet dhe fenomenet e tranzicionit shqiptar. Besoj se botimi final i kolonës së publicistikës politike së Preç Zogajt në këto dy vëllime i qëndron mirë bibliotekës së kujtdo. Në radhë të parë i qëndron mirë bibliotekës së bashkëkohësve, të cilët duan të shohin në këto libra nuanca, ngjarje, fenomene, kronikë, data, fakte, interpretime, të cilat nuk do t’i gjejmë dot më kurrë, për shkak se ruli i kohës vazhdon i pa mëshirshëm për ti fshirë nga kujtesa, ndërsa shoqëria me strategjitë e saj të harresës, për të mbijetuar e vazhduar përpara me axhendën e saj. |