Abstract: | Është një libër. Quhet “12 porositë e Arbën Xhaferit”. E bëra ngaqë mendoj se Arbën Xhaferi i mungon këtij 100 vjetori, ngaqë besoj se ai është shqiptari që do t’i referohemi edhe 100 vite të tjera. Kam pasur fatin ta intervistoj ekskluzivisht për 12 vjet rresht në ekran dhe ndjej detyrimin të ndaj me lexuesin këtë libër, ku përfshihen opinionet, mendimet, idetë, vizionet, ëndrrat e Arbën Xhaferit, shpërndarë nëpër 12 intervista të rralla. Ndoshta jo gjithkush ka mundur ta shijojë plotësisht Arbën Xhaferin, ndërsa fliste në TVSH apo Top Channel, për shkak të sëmundjes që e pengonte të shprehej në formë ashtu si në përmbajtje. Por, kushdo e lexon këtë libër, s’kam dyshim se do t’ia propozojë një tjetri dhe tjetri një tjetri, ngase është platforma e tij më e plotë mbarëshqiptare, vështrimi më i qartë i dritës në fund të tunelit të Shqipërisë etnike. Arbën Xhaferi jo vetëm e shikonte Shqipërinë etnike gjeografikisht, por dinte të shpjegonte politikisht edhe teknikisht çfarë do ta shpejtonte krijimin e saj: “Shqipërinë etnike do ta krijojë dështimi i projekteve të kundërshtarëve tanë. Në asnjë institucion shqiptar as ushtarak, as politik, as shkencor nuk është hartuar projekti i krijimit të Shqipërisë etnike, por Shqipëria etnike vjen si pasojë e dështimit të projekteve joreale për Serbi të madhe apo për shtete etnocentrike”. Ndërsa kur shprehej me humor, jashtë kamerave, Xhaferi thoshte: “Më keq nga sa i kemi bërë vetes, nuk i bëjmë dot më. Dhe marrëzia është e shpenzueshme një ditë…” |