Abstract: | Njerëzit që kanë pasur rastin e mirë të vizitonin për një kohë sa do të shkurtë viset e një vendi tjetër, ku jetojnë vllezërit tanë të kombësisë, arbëreshët, janë mahnitur me atë qëndresë të tyre shumëshekullore, me atë vetëruajtje të pandërprerë dhe me atë përbashkësi shpirtërore, që nuk u tronditën as nga rrebeshet e stuhitë më të tmerrshme të moteve. Nuk janë shembuj të rëndomtë në botë, po përkundrazi, të rrallë fort, shpërnguljet e masave të një kombësie, sic ishte masa e shqiptarëve para dhe, sidomos, pas shekullit XV, shekullit të humanizmit rilindjes evropian, që u detyrua të linte me dhimbje të thellë viset e ndryshme të truallit të përbashkët dhe të degëdisej në dhe të huaj, duke u shkrirë atje në një njësi të vetme etno-kulturore, duke mos u tretur e përzierë për një kohë aq të gjatë. Ishte, kjo, një besë e dhënë dhe e mbajtur ndaj atdheut të të parëve, bijë pas bije dhe bir pas biri, se do ta mbanin e do ta trashëgonin nderin e tij. Kjo mrekulli, që cudit të gjithë, ka, natyrisht, një fillesë, një ngjizje historike shoqërore. |