Abstract: | Përmbledhja e këngëve të lirikës popullore nga Tetova me rrethinë dhe e disa rajoneve të tjera, mund të jetë një kontribut që bashkë me shumë vëllime të ngjashme me lëndë nga kjo fushë, vazhdojnë përpjekjen për vjeljen dhe studimin e këtyre vlerave me peshë aq të madhe folklorike, etnolinguistike dhe letrare. Ne mungesë të punës së organizuar institucionale mbi baza profesionale e shkencore, në Republikën e Maqedonisë, këto vlera ende mund t'i konsiderojmë si ari në xeherore, të pashfrytëzuara dhe pa shkëlqimin që mund ta kenë. Sidoqoftë, me punën sado modeste që po bëhet nga dashamirë të vargut të çmueshëm popullor, vjeljes dhe të ndonjë studimi shkencor nga ekspertë, në fushën e folklorit, priten rezultate inkurajuese që do të jenë nxitje për punë të vazhdueshme. Kjo vonesë e nxjerrjes në dritë e kësaj pasurie të pashtershme të gjeniut popullor, nuk ndodhi në Shqipëri dhe në Kosovë. Institucionet shkencore, qendrat e ndryshme kërkimore dhe universitetet me histori jo të vogël të veprimtarisë së tyre, në Shqipëri, me kohë e kishin ndërtuar infrastrukturën që i kultivonte dhe i studionte këto vlera shpirtërore dhe materiale. Edhe në Kosovë, me gjithë pengesat e shumta dhe tendencat për ta ndalur dhe për ta ndaluar ecurinë normale të këtyre zhvillimeve, falë këmbëngulësisë dhe guximit intelektual e shkencor, ashtu si në fushat tjera, edhe në këtë fushë, edhe pse me shumë pengesa, u ruajt vazhdimësia e punës shkencore dhe asnjëherë nuk munguan rezultatet. Në vjeljen e lëndës folklorike, botimin dhe studimin të kësaj vlere shpirtërore, rol të rëndësishëm luajti Instituti Albanologjik i Prishtinës. |