Abstract: | Ardhja e dy vizitorëve dhe huiumtimi i z. Uinkëll dhe i zonjushës së re me çizme me gëzof që pasoi, sipas të gjitha gjasave, do të kishte dalë një ndërprerje tejet e pakëndshme ndaj të qeshurave të forta të pranishmëve, po të mos kish qenë për harenë e z. Pikuik dhe humorin e shkëlqyer të të zotit të shtëpisë, të cilat i vunë në punë plotësisht për të mirën e përbashkët të të gjithëve. Pak nga pak z. Uinkëll arriti t'ia fitonte zemrën z. Benxhamin Alen, e madje edhe zhvilloi një bisedë miqësore me z. Bob Sojer, të cilin, i gjallëruar nga konjaku, silla dhe muhabeti, dalëngadalë e kaploi qesëndisja, dhe tregoi me ngazëllim të njëmendtë një gazmore të bukur, lidhur me heqjen e një tumori nga truri i një zotërie, të cilën e mbështeti me anë të thikës së gocave të detit dhe gjysmë çyreku dykilësh, për mësimin e gjithë të pranishmëve të atjeshëm. Më pas i gjithë vargani vajti drejt e në kishë, ku z. Benxhamin Alen e zuri gjumi, ndërsa z. Bob Sojer e largoi mendjen nga çështjet e kësaj bote, duke gdhendur emrin e vet në stol, me shkronja të gjera dhjetë centimetra. |