Abstract: | Grupi Revolucionar i Kosovës, i quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, si pjesë e Lëvizjes moderne Kombëtare Shqiptare, ka një përvojë veprimi të pashkëputur mbi 12-vjeçare. Bashkë me rezultatet shumëdimensionale, me qëndrueshmërinë organizative përballë represionit të egër dhe me ndikimin që pati te brezat vijues të Lëvizjes, e bëjnë atë të veçantë dhe me interes studimi shkencor. Lëvizja Kombëtare e Kosovës, dhe sidomos ajo e kohës më të re, është studiuar pak, prandaj mbetet shumë punë për ndriçimin dhe vlerësimin shkencor të saj. Kosova nuk duhet ta heshtë historinë e vet, sepse e ka të pastër dhe të bujshme. Lëvizja e saj çlirimtare është frymëzuar, edukuar . dhe organizuar nga idetë më përparimtare të kohës, nga qëllime humane e demokratike dhe nga veprimtarët e saj më të ndërgjegjshëm. Për këtë Organizatë është shkruar edhe nga autorë të tjerë, por në mungesë të informacionit të plotë dhe burimor, janë vërejtur pasaktësi dhe shtrembërime. Shkenca e historiografisë duhet ta zbulojë të vërtetën e plotë për të dhe për Lëvizjen e re Kombëtare të Kosovës, sepse siç do të thoshte Lord Acton, e vërteta është e vetmja meritë që i jep dinjitet dhe vlerë historisë. |