Abstract: | Shënimi i historisë është një shenjë e qytetërimit njerëzor. Shënimet dhe dokumentet ruajnë dhe krijojnë kujtesën një populli. Respekti për veprën, respekti për përpjekjet, për mundimet, për sakrificën, nuk mund të kenë kuptim të dytë, përveç si respekt njerëzor, kombëtar dhe patriotik. Thuhet se një ngjarje ka ndodhur vetëm nëse shënohet. Shteti në të cilin është bërë agresion nga Serbia siç ishte Kosova, ka për obligim jo vetëm që të hulumtojë e t'i evidentojë rrënjët dhe shkaqet e krimit kundër paqes, por edhe t'i hulumtojë të gjitha pasojat, të cilat janë krijuar nga ai krim në popull, në vendbanime, në ekonomi, etj. E kaluara e popullit të Kosovës, krahasuar me atë të vendeve të rajonit, por edhe me gjerë, ka qenë ndër më të rëndat. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që të ketë qenë objekt i shtypjes nacionale siç ishte populli shqiptar, i cili jeton në trojet e veta (autoktone) në Kosovë e gjetiu. Forma a mënyra më drastike, përveç shtypjes, terrorit, dhunës, likuidimit fizik etj. ishte edhe spastrimi etnik i trojeve shqiptare... |