Abstract: | Endru Hejud, autor i disa studimeve për teoritë (ideologjitë) politike, politikat dhe qeverisjen, shkruan se çdo shqyrtim i ideologjive politike (ideologjisë në kuptimin pozitiv), pra edhe i platformave ideore duhet të fillojë me liberalizmin sepse "liberalizmi është ideologjia e Perëndimit të industrializuar dhe hera-herës portretizohet si një metaideologji, që ka aftësi të përfshijë një gamë të gjerë të shumë vlerave dhe bindjeve"(l). Prej liberalizmit kanë përfituar konservatorizmi, nacionalizmi modern, socialdemokracia, të cilat mbështeten edhe në parimet liberale. Në përgjithësi, kur studiohet liberalizmi bëhet dallimi ndërmjet termit "liberal", "pikëpamjeve dhe parimeve liberale" dhe liberalizmit si "platformë ideore" ose "ideologji" në sensin pozitiv. Siç dihet, kuptimit të platformës ideore i atribuohen disa predispozita, si:
Tërësia e ideve, pikëpamjeve, idealeve dhe vlerave të përcaktuara. Pasqyrimi i interesave dhe aspiratave të klasave të caktuara. Zbatimi i saj nëpërmjet aksioneve të veprimit politik me arritje konkrete në organizimin e institucioneve politike dhe të sistemit të qeverisjes në përgjithësi. |