Abstract: | Zgjerimi i njohjes për leksikun e sotëjn të gjuhës shqipe nuk mund të mos përfshinte edhe ato shtresa, të cilat për mjaft kohë kanë qenë jashtë vëmendjes së gjuhësisë shqiptare për shkak të detyrave të tjera parësore. Përveç kësaj, edhe në tablonë objektive të shqipes disa përdorime të veçanta nuk kanë pasur shtrirje të gjerë dhe dukeshin vetëm si kureshti pa interes. Mirëpo tashmë kjo tablo ka pësuar ndryshime të ndjeshme. Është kapërcyer mbyllja dialektore e lidhur ngushtë me kushtet shoqërore, kanë ndodhur lëvizje të mëdha demografike, janë zgjeruar qytetet dhe ka pasur përzierje të folësve jo vetëm si prejardhje krahinore, por edhe si grupe sociale, profesionale, arsimore. Pa hyrë në hollësi të tjera, vërehet një dinamizëm i veçantë i komunikimit të folur, i cili përveç faktorëve të mësipërm, ndodhet edhe nën ndikimin e mjeteve të komunikimit masiv, po sidomos nën ndikimin e kontakteve të gjera me gjuhët e tjera në kushte të dygjuhësisë dhe me vetë prirjet moderne në ato gjuhë, me rrymat letrare, muzikore e artistike, madje edhe me proceset në mesin e rinisë së sotme evropiane. Si rrjedhim edhe në shqipen e sotme po gjallojnë variante komunikimi, që shmangen vetë-dijshëm jo vetëm nga kufijtë e standardit, por edhe nga kufijtë e komunikimit bisedor të natyrshëm. Ndonëse këto shmangie prekin tërthorazi edhe gramatikën e shqipes, shfaqja e tyre më e dukshme është në fushën e leksikut. |