Abstract: | Biznesi gjithmonë ka qenë dhe do të jetë aktivitet ekonomik dhe shoqëror i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie. Zakonisht, sa më i zhvilluar të jetë biznesi në një vend, aq më i lartë është standardi jetësor dhe mirëqenia e njerëzve. Pikërisht rritja e mirëqenies së njerëzve i nxit ata që të mësojnë të bëjnë biznes sa më të mirë. Menaxhimi i një biznesi është aktivitet mjaft kompleks dhe sfidues. Prandaj qëllimi i këtij teksti është që lexuesit t'i ofrojë një pasqyrë më të qartë rreth biznesit, përparësive dhe dobësive, respektivisht përfitimeve, sfidave dhe problemeve që dalin nga posedimi dhe menaxhimi i një biznesi, mënyrave të organizimit të një biznesi, përpjekjeve novatore për ballafaqim me konkurrencën, identifikimit dhe kërkimit të zgjidhjes në lidhje me evitimin e situatave të rrezikshme gjatë operimit të biznesit, luftës së vazhdueshme të pronarëve të bizneseve për gjetjen e burimeve adekuate të financimit dhe gjetjen e rrugëve më të mira për plasimin e produkteve dhe shërbimeve në treg dhe informimin e konsumatorëve për përfitimet nga to. Duke parë nevojën imediate për hartimin e një teksti të këtij lloji, autorët vendosën që së bashku të përpilojnë një material në formë të tekstit shkollor, dhe të njëjtin t'ua ofrojnë të gjithë atyre që dëshirojnë të mësojnë rreth çështjeve elementare të biznesit. Pra, libri në fjalë është produkt i një angazhimi ekipor të mësimdhënësve në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Prof. Dr. Nasir Selimit (autor i tekstit të kapitullit I, II, III, IV, VII dhe XIV), Doc. Dr. Veland Ramadanit (autor i tekstit të kapitullit V, VI, VIII, XI dhe XII) dhe M-r Gadaf Rexhepit (autor i tekstit të kapitullit IX, X dhe XIII). Përmbajtja dhe organizimi i librit është bërë në përputhshmëri me plan-programin e lëndës "Hyrje në biznes", e cila u servisohet studentëve të vitit të parë në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë në UEJL, Tetovë. |