Abstract: | Në dimrin e vitit 1969 nje nxënësja ime vrau veten. Ishte një vajzë e ndjeshme dhe e zgjuar, madje i përkiste një familjeje të borgjezisë së lartë që s'kishte të sharë. Notat e saj në mësime ishin të shkëlqyera dhe të gjithë e donin. Por një ditë janari shkoi me rnakinën e saj në bregdetin shkëmbor në Palisadë të Oqeanit Paqësor, pranë Los Anxhelos-it, dhe duke lënë makinën të ndezur, hipi në buzën e një shkëmbi të lartë, u hodh në humnerën e oqeanit duke u copëtuar në shkëmbinjtë. Nuk la asnjë fjalë, asnjë rresht të shkruar, asnjë shpjegim. Ishte vetëm njëzet vjeç.
Nuk do ti harroj kurrë sytë e saj aq të gjallë, të zgjuar dhe të mprehtë. Madje, kujtoj provimet e saj me shkrim, të cilat i lexoja me shumë vëmëndje. Në një nga këto provime të cilat nuk munda tia dorëzoj në kohë, kam bërë këtë shënim: "Punim shumë i mirë, me intuitë, ndjeshmëri dhe mprehtësi. Tregoni se dini të vini në veprim atë që ju ka mësuar jeta juaj, "e vërtetë", një provim vërtet i lavdërueshëm". Po ç'farë mund të dija unë nga të "vërtetat" e jetës së saj?
Shpesh pyes veten, se ç'farë do të lexoja në sytë e saj apo në detyrat e saj me shkrim, po të kisha mundësi ti kem përsëri përpara tani. Por siç ndodh me shumë ndodhi e shumë njerëz që i ndeshim në jetën tonë, ato ne na kalojnë në mënyrë sipërfaqësore si hije, dhe më pas nuk jemi më në gjëndje ti shohim në të njëjtat rrethana dhe në të njëjtën mënyrë. |