Abstract: | Gjatë këtij dhjetëvjeçari që konsiderohet ndryshe koha e mendimit të lirë dhe e ekonomisë së tregut në Shqipëri, nga mjaft botues të vëmendshëm - të ndihmuar dhe nga disa studiues - po vazhdon me sukses publikimi i një serie librash të mendimit shqiptar, që prej të gjitha kohëve kur ai është shfaqur dhe zhvilluar, si një ndihmesë - falë ndikimit të teorive të vjetra dhe të reja - në formimin e kombit dhe tjetërsimin e një strukture të caktuar shtetërore. "Mendimi shqiptar" është seria e parë në botimet e pas nëntëdhjetës e cila "synoi" të shndërrohet në një antologji të mendimit shqiptar, një renditje dhe një publikim i zgjedhur i të gjithë kontributit që kanë dhënë mendimtarët shqiptarë në periodikët e kohës apo në botime librash të veçantë. Mendimi kryesor, që përfshihet në këto botime dhe që ne konvencionalisht jemi mësuar ta quajmë periudha e viteve 30-të, si vazhdim i suksesshëm i mendimit politik dhe filozofik të zgjimit kombëtar shqiptar, përfundon rreth viteve 1944-1945, kur mbaron dhe Lufta Nacional-Çlirimtare e në Shqipëri vendoset sistemi komunist. E fill me vendosjen e këtij regjimi fillon dhe shkëputja totale e brezave të ardhshëm me këtë trashëgimi. Aq sa pothuajse të gjithë mendimtarët e kësaj periudhe me ndonjë përjashtim të rrallë u përgojuan dhe u çensuruan në të gjitha gjeneratat e reja, duke mos lënë asnjë shteg për të hyrë në lidhje me këtë kulturë. Pikërisht kjo shkëputje, mund të konsiderohet si një nga fatalitetet më të mëdha të kulturës, politikës dhe historisë shqiptare. Ky mendim, që lindi bashkë me Rilindjen tonë kombëtare dhe që përjetoi një ripërtëritje të pashembullt në vitet 30-të të shekullit të kaluar, u materializua me krijime origjinale, duke përfshirë këtu botime të plota librash të ndryshëm me karakter filozofik, politik, sociologjik, psikologjik dhe kulturor. |