Abstract: | Çdo komb, shtet ose shoqëri ka identitetin, karakterin, kulturën dhe prioritetet e veta. Entitetet sociale ndër epoka të ndryshme historike nxjerrin nga mesi i tyre udhëheqës të spikatur, të cilët me veprimet e tyre gjenerojnë ide të pavdekshme në sistemin e vlerave që shënojnë garën mes kombeve. Por, jo çdo shtet dhe komb apo çdo shtet-komb ka nxjerrë udhëheqës të petkut fetar që kanë arritur të avancojnë të gjitha dimensionet e jetës shoqërore, që kanë arritur të bëjnë një simbiozë funksionale mes të shenjtës dhe profanes; jo çdo komb ka gjeneruar udhëheqës të cilët do të shpienin kombin dhe shtetin në lumenjtë e suksesit, udhëheqës model, liderë paradigmatikë që dinë në mënyrë brilante të udhëheqin në momentet më kritike për qenien e një bashkësie më të gjerë shoqërore, që dinë të përdornin aftësinë për të kapur ritmin e efikasitetit në qeverisje, që ia dalin të sigurojnë drejtpeshimin mes dy elementeve bazë të qenësimit human: arsyes dhe imagjinatës. Me të drejtë sociologu dhe politologu frëng Rajmon Aron konstaton se intelektuali është individ i devotshëm ndaj ideve, njohurive dhe vlerave, por kur ai ia del që këto tre kategori t'i mishërojë në vete dhe t'i jetësojë për të mirën e kombit ai shndërrohet në udhëheqës të shkëlqyer. Ndër të tillët është edhe udhëheqësi që do të dalë në krye të diplomacisë dhe politikës franceze më 1624, që falë mençurisë, fleksibilitetit, intelektit dhe zellit për sukses do të shndërrohet në determinuesin e suksesit të një kombi, të një shteti dhe të një gjuhe. Ky udhëheqës për pak kohë s'arriti t'i shohë frytet e politikës dhe diplomacisë së vet. S'është thënë kot që në diplomaci iniciuesi i një të arriture nuk i korrë kurrë frytet e suksesit të vet. Ky udhëheqës s'i përjetoi momentet e suksesit të politikës së vet, por do të shërbejë si lajtmotiv dhe model për shumë udhëheqës, për shumë profile njerëzish që merren me punët shtetërore. Ai arriti që në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare të fusë konceptin e shtetit-komb dhe të arsyes së shtetit. Është kjo figura e spikatur e kardinalit Armand Zhan dy Plesis dë Rishelje (Armand Jean du Plessis de Richelieu, 1585-1642), udhërrëfyes për shtetarët e ardhshëm francez, të cilët politikën dhe diplomacinë e tyic të bazuar tek ky njeri do të tentonin ta implementonin edhe më tej. Është thënë se udhëheqësit nuk bëhen, por linden. I tillë është edhe Rishelje, njeriu që me mençu-ri arriti t'i ndjejë proceset historike, të bëhej pjesë e këtyre proceseve dhe njëkohësisht, udhëheqës dhe kahëzues i tyre. |