Abstract: | Ky botim përmbledh një punë të bërë praktikisht në dy periudha të ndryshme. Ai është konceptuar dhe pastaj shkruar fillimisht në vitet 1993-1997, përgjatë të cilëve janë hedhur edhe vijat themelore të tij. Kohë më tej, pas një reflektimi mbi atë çka ishte bërë më parë, si dhe përfshirjes së analizave të ngjarjeve që kishin rrjedhur ndërkohë, punimi u pa sërish dhe u pasurua në vitet 2000 - 2002. Gjithçka u përmbyll gjatë gjysmës së parë të vitit 2008, kur jo vetëm kisha pasur kohë ta mendoja edhe një herë atë që kisha hedhur në letër dhe botuar paraprakisht, por kisha përfituar ndërkaq edhe duke marrë mendimet e lexuesve për të dalë përpara publikut me një paraqitje përfundimtare. Më pëlqen që një libër ta shkruaj duke e rimarrë në kohë të ndryshme e paraqitur atë pjesë - pjesë para publikut, për të pritur hap pas hapi reagimet e tij. Më jep kënaqësinë e plotë një punim kur, si të thuash, e shkruaj së bashku me publikun. Lexuesi ka përpara këtë libër që përfundimisht është gjithçka që përbën studimin tim për periudhën 1990 - 2000, apo, sikurse pretendoj ta quaj ndryshe, epokën e përmbylljes së tranzicionit institucional paskomunist në Shqipëri. Janë vitet nëntëdhjetë. Fundi i shekullit të njëzetë në historinë e Shqipërisë. Aty kam dashur të paraqes prirjet themelore të shoqërisë shqiptare në fushën e mediave, të politikës, të ekonomisë, të institucioneve të shtetit, të dinamikave elektorale. Pra, një prurje ndërdisplinore që kërkon të japë dhe pastaj të shpjegojë, sipas mënyrës së vet, ngjarjet dhe realitetet themelore të periudhës së hedhjes së themeleve të shoqërisë demokratike në Shqipëri. Sidoqoftë, këndvështrimi i këtyre realiteteve kryhet nga dhe nëpërmjet studimit të mediave të kohës dhe veçanërisht shtypit të shkruar... |