Abstract: | Historia, përveçse është skenë e emanimit të vlerave, dashurisë, respektit, marrëveshjes, bashkëpunimit, koherencës e kohezionit, është edhe fushë e antinomive: jetë-vdekje, luftë-paqe, përkohësi-përhershmëri, sundim-nënshtrim (Laušević, 2021). “Bëni dashuri, jo luftë!” – ishte shënuar në një poster pacifist të kundërkulturës amerikane të viteve 1960, por gjeni i luftës (war gene) dhe fryma hobbesiane, empirikisht, duken si shoqëruese të pandashme të njeriut dhe shoqërisë së tij. Lufta paraqet një problem të njerëzimit nga zanafilla e deri më sot, një dukuri e ngulitur thellë në "shprehitë dhe bindjet e njeriut" (Kennan, 1987). Gjetjet flasin se, nga 3.400 vitet e kaluara, njerëzit kanë jetuar në paqe vetëm 268 vjet, vetëm 8% të historisë së regjistruar. Pra, pjesa dërrmuese e kësaj periudhe të historisë së njerëzimit është kaluar në luftë. Vetëm në luftërat e shekullit XX janë vrarë 108 milionë njerëz (Hedges, 2003). Me çështjen e luftës merret edhe libri që e keni në duar, tanimë në versionin shqip, i profesorit, filozofit dhe politologut të mirënjohur britanik, nga prestigjiozi LSE (London School of Economics, Londër), Cristopher Coker, “A mund të eliminohet lufta?”, një fjali pyetëse, përgjigjja e së cilës kërkohet në gjashtë kapitujt e kësaj vepre (Evolucioni, Kultura, Teknologjia, Gjeopolitika, Paqja dhe Humaniteti), ku elaborohet ndikimi i luftës në kontekstin human dhe qytetërimor nga perspektiva kulturore, sociologjike, teknologjike dhe politike. |