Abstract: | Komunikimi njerëzor është i vjetër sa edhe vetë njeriu, madje është edhe element thelbësor që e dallon njeriun prej qenieve tjera të gjalla. Në primitivizëm komunikimi zhvillohej nëpërmjet gjestikulacioneve, pastaj nëpërmjet grafiteve, më vonë nëpërmjet gjuhës së folur dhe më pas asaj të shkruar. Me zhvillimin e shoqërisë u zhvilluan edhe format e komunikimit ndër-njerëzor duke u përsosur çdo ditë e më shumë, sa që sot kemi një komunikim të sofistikuar që na lehtëson edhe më shumë siç është përdorimi i internetit si dhe mjetet tjera tekniko-teknologjike. Me anë të këtij komunikimi bëhet shkëmbimi i informacionit personal dhe social brenda një kohe të shkurtër, gjë që mundëson dërgimin dhe pranimin e informacionit në kohë reale dhe ruajtjen e integritetit të individit brenda grupit. Sot, gjithnjë e më tepër flitet për rolin e komunikimit në shoqëri, komunikim mes individësh, mes grupesh, mes shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, rolin e komunikimit në krijimin e opinionit publik si dhe për rolin e komunikimit në zhvillimin e politikës. Për të lehtësuar lidhjet e politikës me shoqërinë, viteve të fundit është zhvilluar një formë e re e komunikimit që realizohet nëpërmjet rrjeteve sociale të cilat shërbejnë për informimin e një rrethi më të gjerë të shoqërisë për një afat shumë të shkurtër kohor. Rrjetet sociale përveç informimit bëjnë edhe reklamimin e aktiviteteve politike, ndonjëherë edhe manipulimin e masës. Rrjetet sociale nuk janë një dukuri e re, por e re është mënyra e organizimit të tyre. Një ndryshim masiv siç thuhet se e sjellin ato, nuk vjen prej tyre më shumë, se sa ç'vjen prej njerëzve. Por, mund të thuhet se ato janë mjete që të organizuara më fortë e më shpejtë nëpërmjet teknologjisë së informimit sjellin transformime të shpejta, të paparashikuara e të pakontrolluara. Në shoqërinë e informatikës në të cilën ne sot jetojmë rrjetet sociale gjejnë përdorim të gjithanshëm social, por edhe në politikë, prandaj sot janë cak gati se i çdo studimi shkencor dhe paraqesin një ndër shtyllat kryesore nëpërmjet të cilës barten disa nga proceset më të rëndësishme shoqërore dhe politike. E tillë është edhe brendia e këtij libri me temë boshte komunikimin që zhvillohet nëpërmjet rrjeteve sociale si urë lidhëse midis politikanëve dhe votuese. |