Abstract: | Ndoshta nuk është rastësi që një libër i jashtëzakonshëm, siç është "Një grua në Berlin" pati një fat kaq të veçantë. Ka pak gjasa që autorja, kur e shkroi, kishte ndër mend ta botonte atë. "Zhgarravinat personale", që ajo shënon midis prill – qershorit të vitit 1945, në tri fletore shkolle (plus disa faqe të futura mes tyre, të shkruara me shpejtësi), e ndihmuan, para së gjithash, të ruante atë pak shëndet mendor, midis shkatërrimit të përgjithshëm dhe shembjes morale. Ato janë "fletore bodrumesh", të shkruara nëpër strehimet kundërajrore, të cilat bënin një farë mbrojtjeje kundër gjuajtjeve të artilerisë, plaçkitjeve dhe abuzimeve seksuale të kryera prej fitimtarëve të Ushtrisë së Kuqe. Autorja s'kishte në duar asgjë tjetër veç një copë lapsi, me të cilin i duhej të shkruante nën dritën e qiririt ngaqë Berlinit i qe ndërprerë elektriciteti. Ajo mbijetoi në një bunker, ku fusha e saj e vëzhgimit ishte fare e reduktuar, për shkak të mungesës së përgjithshme të informacionit. Në mungesë të gazetave, të radios dhe të telefonit, lajmet nga bota e jashtme arrinin vetëm nëpërmjet thashethemeve. Disa muaj më vonë, kur një lloj ekzistence, pak a shumë normale, nisi ta marrë veten, ajo mundi t'i rikopjojë dhe t'i publikojë shënimet e saj që përbënin "njëqind e njëzetenjë faqe, me letër gri të ashpër, nga ato që fabrikoheshin gjatë luftës". Meqenëse unë jam përgjegjësi i ribotimit të këtij libri, që ngeli në harresës për më shumë se dyzet vjet, më bie si detyrë të respektoj vullnetin e autores për të mbetur anonime. |