Abstract: | Një libër lind nga dashuria për temën dhe përmbajtjen që shpaloset në faqet e tij, nga përjetimet dhe përvoja jetësore e autorit. I tillë është edhe libri "Shqiptaria dhe Drita e Diturisë në viset ku delDrini" i autorit Kaim Murtishi arsimtarit veteran dhe veprimtarit të palodhur të jetës kulturore-artistike në vendlindjen e tij, Ladorisht, dhe në krejt komunën e Strugës e më gjerë. Në këtë libër ai ka shprehur me ndjenjë ato që ka parë e ka dëgjuar dhe ka përjetuar si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë dhe si dëshmitar në ngjarjet e historisë së trazuar të brezit të vet. Kaim Murtishi si arsimtar është mësues i muzikës, por krahas kësaj edhe interpretues, organizues i shumë veprim-tarive kulturore-muzikore, mbledhës, studiues e popullarizues i suksesshëm i muzikës popullore shqiptare veçanërisht të trevës së tij. Kënga dhe muzika popullore burojnë nga shpirti i popullit dhe kush i njeh, i studion e i interpreton ato, depërton në thellësitë e zemrave të njerëzve, prek atë mekanizëm që krijon folklorin, pasurinë më të madhe të kulturës popullore të një kombi dhe shprehëse e drejtpërdrejtë e individualitetit kombëtar dhe e rrënjëve etnike të tij. Treva Strugë-Ohër ose Viset ku del Drini "duke nisur udhëtimin mes për mes në Shqipëri" (Lasgushi), ka një histori të pasur luftërash kundër pushtuesve e armiqve të gjuhës shqipe të kulturës shqiptare. Popullsia e kësaj treve ka marrë pjesë gjallërisht, me pushkë e me penë, në Lëvizjen Kombëtare të Rilindjes. Ibrahim Temo e Dervish Hima, veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare kanë dalë nga kjo trevë, ashtu si dhe qindra luftëtarë të çetave patriotike, që e vijuan luftën edhe më pas për mbrojtjen e krahinës së Korçës kundër shovinistëve grekë. Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore kjo trevë njohu shtypjen dhe mjerimin e regjimit të mbretërisë së Karagjorgjeviqëve. Asnjë shkollë shqipe, asnjë libër shqip! Por nuk u shuejt, jo, Shqyptaria -siç ka shkruar i pavdekshmi Ndre Mjeda! Pas shpërbërjes së Mbretërisë Jugosllave më 1941 në këtë trevë u hapën për herë të parë shkollat shqipe. Mësuesit u dërguan nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, - shumica kishin kryer shkollën Normale të Elbasanit, - dhe u pritën krahëhapur. Ata hodhën farën e diturisë në gjuhën shqipe dhe ringjallën ndjenjën e krenarisë për emrin Sh-qiptar. Një pjesë e tyre iu përgjigjën zërit të atdheut dhe dolën malit ku përsëri ushtonte kënga "... përmbi shkëmbinj e gurë lirinë të ngjallimë ...". Ladorishti, vendlindja e autorit, është një fshat i martirizuar nga egërsia e bishave naziste. Të tërbuar nga afrimi i disfatës së tyre të pashmangshme e përfimdimtare, në tërheqje e sipër më 28 tetor 1944 nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre dogjën Ladorishtin dhe vranë afro 100 burra, gra e femijë të pafajshëm. |