Abstract: | HYRJE
Prostitucioni paraqet një sjellje negative-devijante të shoqërisë e cila ndikon në çrregullimin e funksionimit normal të raporteve në mes të gjinive në shoqëri dhe si e tillë kjo dukuri konsiderohet e dëmshme dhe e papranueshme. Vetë prostitucioni ka të bëjë me dukurinë e marrëdhënieve seksuale kryesisht te personi i gjinisë femër me një numër të pacaktuar të personave të gjinisë mashkullore në këmbim të interesit financiar. Pra është një formë e eksploatimit seksual të gjinisë së kundërt, ku trupi i femrës shndërrohet në mall për shit-blerje. Studiuesit socialë kanë argumentuar se lindja e prostitucionit lidhet, së pari, me përmbysjen e raporteve midis burrave e grave, pikërisht me kalimin nga e drejta amtare (matriarkati) në të drejtën atërore (patriarkati). Në thelb të këtij shndërrimi të madh, që shënoi disfatën e madhe historike të gjinisë femërore, lindi edhe prostitucioni si institucion. Gruaja humbi pozitën e vet të respektuar, u kthye në shërbëtore, në skllave të epsheve të burrit. Kjo pozitë e poshtëruar e gruas shfaqet lakuriq sidomos te grekët, por edhe te romakët. Procesi i kalimit nga pushteti amtar në atë atëror ishte, njëherësh, procesi i krijimit të familjes monogame, e cila nuk kishte që në fillim pamjen që mori më vonë. Ajo nuk ishte aspak fryt i dashurisë seksuale midis burrit dhe gruas, siç nuk ishte as fryt i një marrëveshjeje me detyrime ndërsjella midis bashkëshortëve të lidhur në martesë. Monogamia u shfaq si shprehje e kontradiktës midis gjinive, pra si skllavërim i një gjinie nga gjinia tjetër, dukuri këto të panjohura në historinë e mëparshme. Familja (ende jo e shenjtë), ishte një, kombinim i sentimentalizmit dhe grindjeve shtëpiake. Ajo u shpik pikërisht për të karakterizuar një organizim të ri shoqëror, kryetari i të cilit ishte zot i gruas, i fëmijëve dhe i skllevërve. Prostitucioni është një çështje e cili duhet trajtuar me kujdes dhe të mësuarit e tij nga studentët por edhe nga nxënësit, duhet të bëhet në formën e drejtë. Njerëzit duhet të marrrin informacion sa më të plotë mbi këtë fenomen në studime dhe në jetën e përditshme. Por, nëse e marrim prostitucionin si pikënisje, me të mund të ngrejmë një godinë të tërë shoqërore. Përmes trajtimit të fenomenit të prostitucionit, në një pikëpamje apo në një tjetër, janë përmendur disa çështje filozofike-sociologjike mbi personalitetin, moralin (të mirën, të keqen, moralin, turpin), etikën, estetikën etj. Nga ana tjetër prostitucioni nuk është një çështje e izoluar, ndaj në këtë studim theksohen disa nga problemet e mprehta të kohës, duke filluar nga liria dhe standardet e saj, cilësia dhe kompleksiteti i marrëdhënieve njerëzore, interesat, komercializimi i marrëdhënieve sociale, dhuna-antiteza e lirisë, familja dhe martesa, marrëdhëniet gjinore, seksualiteti dhe “rrymat” brenda tij ( nga kënaqësia te grykësia seksuale, homoseksualiteti, lesbizmi e shformimet seksuale), legjislacioni, shteti dhe religjioni. Prostitucioni, si dukuri socio-patologjike, përveç se vetvetiu është i dëmshëm dhe i rrezikshëm, ka edhe një varg ndikimesh dhe lidhjesh të drejtpërdrejta në disa sjellje kriminale. Me prostitucion janë të lidhura një mori sjelljes kriminale, si vrasjet, mashtrimet, vjedhjet, plaçkitjet, dhunimet, nxitjet dhe joshjet në veprime amorale dhe perversione tjera të të rinjve dhe të miturve. Në botën bashkëkohore theksohet se me dukurinë e prostitucionit është e lidhur ngushtë edhe marrja me shpërndarjen dhe shitblerjen e drogave dehëse, tregtia me robër të bardhë, shantazhet, kontrabanda, spiunazhi dhe veprime të tjera të ndaluara dhe kriminale. Në hulumtimet kriminologjike lidhur me lidhjen e prostitucionit me kriminalitetin, theksohet se të ashtuqujturat shtëpi publike, zakonisht paraqesin vendtubimet dhe tregjet më të njohura të grumbuilimit të kriminelëve të njohur, bandave dhe grupeve të cilat organizohen dhe kryejnë një varg transaksionesh kriminale. |