Abstract: | Vëllimi "Gjurmëve të veshjes popullore shqiptare në Maqedoni" i bashkautorëve Bukurije Mustafa, Izaim Murtezani e Rini Useini, është rezultat i një pune studimore shumëvjeçare dhe ekspeditave hulumtuese në rajonin e Likovës, Kërçovës, Strugës, Velesit, Manastirit, Prespës, Krushevës, Tetovës dhe rajonet e rrethit të Shkupit, dhe si i tillë arkivon një trashëgimi materiale të pasur e me vlera të posaçme etnografike dhe etnolinguistike në kuptimin e termave gjuhësorë në rajonet përkatëse. Libri ndahet në katër krerë:
1. Tipologjia dhe klasifikimi i veshjeve popullore të shqiptarëve në Maqedoni
2. Kah semiotika ornamentale e veshjeve popullore shqiptare në Republikën e Maqedonisë
3. Tiparet themelore të veshjes shqiptare
4. Album i veshjeve popullore
Harta kostumologjike e rajonit të Maqedonisë del e pasur, e larmishme dhe shumë e hershme. Për nga veçantitë të kihet parasysh këtu posaçërisht këmisha e gjatë e grave të Kërçovës, që ka marrë emrin kështu për arsye se është e gjatë dhe vjen deri në fund të këmbëve me formë të fustanellës prej 6-12 kindash. Dallohet gjithashtu dhe për mëngët e saj të gjera, të zbukuruara me qëndisma (hoja). Në bazë të materialit prej të cilit ndërtohet dhe formave të ndryshme gjeometrike dekoruese, këmisha e gjatë e grave njihet me këto lloje a variacione: këmisha e mëndafshtë, këmisha me makare të ndame (quhet dhe e dame), këmisha e ngjyer (e xhyme), këmisha me sfillë, këmisha me tel, këmisha me qenar të madh, këmisha me koshnicë, këmisha katërliqesh (që endet në katër liq), këmisha e bardhë etj. Nga këto më ceremoniale është këmisha me tel, që e veshin nuset, kurse gratë më të vjetra veshin kryesisht këmishë të ndame. |