Abstract: | Ndër librat bestseller më të dashur në botë, "Gruaja e togerit frëng" është një nga romanet më interesante të letërsisë angleze bashkëkohore, në të cilin shkrihen mjeshtërisht ëndrrat joshëse dhe realiteti zhgënjyes. Çarls Smithson, një burrë i ri në prag martese, që gëzon një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin. Ajo nuk ia ndan sytë detit ku është zhdukur togeri frëng, për të cilin të gjithë thonë se ka qenë dashnori i saj. E dënuar nga opinioni publik, e pakuptuar as nga ata që i qëndrojnë më pranë, e reja mbart një sekret të madh, një pasion të papërmbajtshëm dhe një ankth për lirinë që mund t'i thyejë të gjitha rregullat e hekurta të moralit viktorian. Çarlsi bie në dashuri me Sarën dhe bëhet njëherazi viktimë dhe bashkëpunëtor i këtij rebelimi. Romanca e tyre do të sfidojë rregullat mbytëse të shoqërisë së asokohshme, ndërsa kapërcimi i pengesave do të përmbysë paragjykimet e vetë personazheve, por edhe të lexuesve. I renditur nga Time Magazine në listën e 100 veprave më të mira të gjuhës angleze, romani "Gruaja e togerit frëng" është një nga shembujt më të njohur dhe të arrirë të letërsisë postmoderne. |