Abstract: | Me të lexuar lajmin në gazetën Borba, (17 maj 1957), se në Jugosllavi qe arratisur gjenerali Panajot Plaku, ministër në qeverinë e Shqipërisë dhe, pak më parë, zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes Popullore, por edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, nuk e pandeha se një ditë do ta takoja këtë njeri të mrekullueshëm, bile se do ta bëja ndër miqtë e mi më të mirë. E dija se, herë-herë, duke dashur t'i shpëtojnë terrorit, në Jugosllavi ishin arratisur individë, bile edhe familje shqiptare, por me sa di unë, ishte hera e parë që në shtetin tonë të arratisej njëri nga udhëheqësit e lartë shtetëror dhe partiak të Shqipërisë. Një pyetje shtrohej vetvetiu: si ia doli Panajot Plaku ta realizojë atë që s'kanë mund të realizojnë dot shumica e politikanëve dhe udhëheqësve të Shqipërisë, të cilët kanë kundërshtuar politikën antijugosllave dhe metodat e dhunshme të Enver Hoxhës kundër popullit të vet: të arratiset nga shteti, i cili është shndërruar në një burg tepër të madh, rrethuar me tela me gjemba? Shumë prej tyre, duke ëndërruar lirinë dhe ngadhënjimin e socializmit në vendin e tyre, por edhe përtëritjen e lidhjeve miqësore me Jugosllavinë, bashkëluftëtaren e ditëve të lavdishme të luftës çlirimtare dhe të rindërtimit e të ndërtimit të vendit, kishin përfunduar tragjikisht si viktima të spastrimeve të Enverit burgjeve të Shqipërisë. Tani, në mesin tonë kemi njeriun, i cili do të dëshmojë nga burimi i ngjarjeve për fatin e tyre tragjik dhe do na flasë për kaosin që mbretëron në vendin, i cili është sa afër dhe aq larg prej nesh. |