Abstract: | Çka duhet të presim nga noterët tanë? Kush është natyra e vërtetë e aktiviteteve të një Zyre noteriale? Sa kemi nevojë për noterë? E vallë, kush është roli i noterisë në ekonominë kosovare, në konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit të së drejtës ? Lista e pyetjeve është shumë e gjërë dhe do të ishte vështirë t'i cekim të gjitha ato që do të nevojiteshin apo mund të parashtrohen lidhur me noterinë e re kosovare. Megjithatë, në kuadër të studimit të çështjeve që ndërlidhen ngusht me noterinë, ndoshta do të dukej sadopak e zbehtë ndonjë tendencë eventule që do të kufizohej në aspektet që sa po u përmendën, edhe pse është e pamundur që të prezantohet një listë gjithpërfshirëse e pyetjeve që, për së afërmi apo së largu, e prekin fushën e noterisë. Pyetjeve të tilla mundet t'iu përgjigjen, në një mënyrë apo tjetrën, protagonistët që e „përqafojnë" këtë profesion apo kanë nevojë për shërbimet e tija, duke mos harruar aktorët tjerë të shumtë që potencialisht do të implikohen në proceset zhvillimore të sistemit noterial të Kosovës. Duket e arsyshme që në këtë „preambulë" të vazhdohet edhe me disa pyetje të tjera, të cilat ndoshta i takojnë një „regjistri" tjetër, por që e prekin praktikën konkrete të punës noteriale. I theksojmë disa nga to. Sa është e vlefshme bartja te noteri e një „parcele" të pushtetit dhe kompetencave shtetërore? Sa ka me përfituar qytetari nga një proces i tillë? A ka ardhur koha që t'iu jepet fund disa konflikteve pronësore që duken si të pakapërcyeshme në syrin e shumë qytetarëve apo edhe disa institucioneve? A mund të krijojmë regjime martesore duke respektuar parimet e barazisë gjinore dhe duke u mbështetur në përvojat e shoqërive moderne? A mund të themelojmë shoqëri të mirëfillta tregtare dhe kompetitive në tregun e brendshëm dhe ate evropian apo edhe më gjërë? Rregullat e trashëgimisë, a mund të aplikohen duke u mbështetur në parimet juridike apo edhe në kërkesat që dalin nga shprehja e vullnetit real të trashëgimlënësit ? |